Secondary Adv

Begaj dekreton Reformën Territoriale, në zgjedhjet e 9 majit 2027 Shqipëria me 46 bashki

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndarjen e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të hënë ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri. Sipas ndryshimeve të miratuara, numri i bashkive do të ulet nga 61 në 46, ndërsa harta e re territoriale parashikohet të zbatohet për herë të parë në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.


Reforma territoriale u miratua në Kuvend më 9 tetor, me 85 vota pro dhe 34 kundër, pas një seance të gjatë parlamentare të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës.


Me dekretimin e ligjit nga Presidenti Begaj, ndryshimet në organizimin administrativo-territorial të vendit parashikohet të reflektohen në zgjedhjet e ardhshme vendore, ku qytetarët do të votojnë për drejtuesit dhe këshillat e 46 bashkive.


Cilat janë 15 bashkitë që shkrihen me reformën e re territoriale?


Sipas hartës së re administrativo-territoriale, 15 bashki do të humbasin statusin e tyre si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore, duke u bashkuar me bashki të tjera.


Në qarkun e Shkodrës, Bashkia Fushë-Arrëz do t'i bashkohet Bashkisë Pukë, ndërsa në qarkun e Dibrës, Bashkia Klos do të bashkohet me Bashkinë Mat.


Në qarkun e Tiranës, Bashkia Rrogozhinë do t'i bashkohet Bashkisë Kavajë. Në qarkun e Beratit, bashkitë Dimal dhe Poliçan do të bashkohen me Bashkinë Berat.


Në qarkun e Fierit, Bashkia Patos do t'i bashkohet Bashkisë Fier, ndërsa Bashkia Divjakë do të bashkohet me Bashkinë Lushnjë.


Në qarkun e Vlorës, Bashkia Selenicë do t'i bashkohet Bashkisë Vlorë. Në qarkun e Korçës, Bashkia Maliq do të bashkohet me Bashkinë Korçë.

Në qarkun e Gjirokastrës, Bashkia Këlcyrë do t'i bashkohet Bashkisë Përmet, Bashkia Memaliaj do të bashkohet me Bashkinë Tepelenë, ndërsa Bashkia Libohovë do t'i bashkohet Bashkisë Gjirokastër.


Në qarkun e Elbasanit, bashkitë Cërrik dhe Belsh do të bashkohen me Bashkinë Elbasan, ndërsa Bashkia Përrenjas do t'i bashkohet Bashkisë Librazhd.


Harta e re territoriale, 77 qytete dhe 387 njësi administrative


Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i reformës është organizimi i territorit të Shqipërisë në 77 qytete dhe 387 njësi administrative.


Sipas parashikimeve të ligjit, qytetet do të kenë përfaqësim në këshillat bashkiakë, ndërsa bashkitë do të mbeten njësitë kryesore të vetëqeverisjes vendore.


Riorganizimi territorial ndryshon strukturën aktuale të qeverisjes vendore, duke reduktuar numrin e bashkive dhe duke bashkuar disa prej njësive ekzistuese në struktura më të mëdha administrative.


Harta e re parashikohet të hyjë në zbatim në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, kur qytetarët shqiptarë do të votojnë për kryetarët dhe këshillat bashkiakë sipas ndarjes së re administrativo-territoriale.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat